Një në pesë femra në Kosovë, aktive në tregun e punës

Anketa e fundit e Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi fuqinë punëtore nxjerrë dallime të mëdha gjinore në Kosovë, nëse shikohen statistikat e punësimit.

Sipas anketës, vetëm një në pesë (19.3 %) femra në moshë pune janë aktive në tregun e punës, krahasuar me rreth tri te pestat (64.7 %) e meshkujve në moshë pune, shkruan Buletini Ekonomik.

Në mesin e personave në fuqinë punëtore, papunësia është më e lartë për femrat, 34.8 për qind, ndërsa për meshkujt 29.5 për qind.

Reklama e sponzorizuar

“Shkalla e punësimit në mesin e femrave në moshë pune është vetëm 12.6 %, krahasuar me 45.6 % për meshkujt”, thuhet në Anketën e Fuqisë Punëtore për tremujorin e tretë të vitit 2018.

Sipas anketës, kjo shkallë shumë e ulët e papunësisë te femrat rrjedh nga kombinimi i pjesëmarrjes shumë të ulët në fuqinë punëtore dhe papunësisë së lartë.

“Femrat ishin të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, të tregtisë dhe të shëndetësisë (54.5 % e femrave të punësuara). Meshkujt ishin kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit (duke punësuar 44.1 % të meshkujve të punësuar”, thuhet në anketë. /Buletini Ekonomik/