Taksa 100%: Banka Qendrore e Serbisë po përgatitet për më të keqen

Banka Qendrore e Serbisë është duke analizuar skenarë të ndryshëm për të gjetur mundësi operimi në veri të Kosovës, në rast të ndonjë mase të re që do të vendosë Republika e Kosovës për të bllokuar veprimin e kësaj banke brenda territorit të Republikës së Kosovës.

“Jemi duke i përcjellë për nga afër zhvillimet e reja që po ndodhin në Republikën e Kosovës dhe masat që janë vendosur”, ka thënë një zyrtar i kësaj banke në kushte anonimiteti për Tanjug, transmeton Gazeta Express.

Ai ka thënë se janë duke u koordinuar dhe bashkëpunuar për nga afër me presidentin dhe Qeverinë, duke thënë se Banka Qendrore duhet të ndërmarrë të gjitha veprimet, në rast të ndonjë mase të re të Qeverisë së Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

“Aktualisht Banka Qendrore e Serbisë po analizon skenarë të ndryshëm, duke përfshirë edhe ata më të këqijtë, për të gjetur një zgjidhje alternative, në rast të ndërmarrjes së ndonjë mase nga Qeveria e Kosovës”, ka shtuar ky burim.

Nga Banka Qendrore e Serbisë thonë se masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës janë në kundërshtim me të gjitha standardet ndërkombëtare. Ata thonë se do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur interesat e qytetarëve të tyre, si dhe subjekteve ekonomike për vazhdimësinë e biznesit.

Qeveria e Republikës së Kosovë ka më shumë se një muaj që ka vendosur taksë prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina. Ditë më parë listës i janë shtuar edhe brendet ndërkombëtare të cilat prodhohen në Serbi. Krerët e shtetit serb ndërkohë kanë treguar për humbjet milionëshe që u ka shkaktuar ky vendim i Qeverisë Haradinaj.