Zyra e Kryeministrit thotë se laptopët luksoz i bleu për Rexhep Hotin

Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi për media ka reaguar ndaj shkrimit të Buletinit Ekonomik “Zyra e Kryeministrit porosit laptopa të vitit 2018-të, 1 mijë dollarë copa”, të  botuar sot.

Në  reagim thuhet se “Zyra e Kryeministrit ka shumë Agjenci që operojnë në kuadër të saj. Porosia në fjalë është bërë nga Zyra e  Koordinatorit Nacional për Rini, z. Rexhep Hoti, për nevojat e projektit të tij për rininë”.

“Përkundër sqarimit paraprak për portalin në fjalë se në emër të kujt është bërë porosia, prodhuesi i lajmit ka refuzuar ta bëjë sqarimin e duhur për opinionin. Ky refuzim, konsiderojmë që po bëhet me qëllim të etiketimit dhe njollosjen e personave që janë të apostrofuar dhe në fotografinë me të cilën është ilustruar lajmi”, thuhet në  reagim.

Reklama e sponzorizuar

Mirëpo në dosjen e tenderit të shpallur nga Zyra e Kryeministrit, kjo e fundit është autoriteti kontraktues për tenderin në fjalë dhe askund nuk përmendet se këto pajisje teknologjike janë blerë për Zyrën e Koordinatorit Nacional për Rini, Rexhep Hoti.

Buletini Ekonomik për hir të korrektësisë  ndaj lexuesve, ofron të plotë dosjen e tenderit, në  të  cilin është bazuar për artikullin në fjalë. Në dosjen e tenderit, i vetmi autoritet kontraktues është  Zyra e Kryeministrit. 

Ndryshe Buletini Ekonomik sot ka raportuar se Zyra e Kryeministrit ka porositur njëmbëdhjetë laptop të prodhuar në vitin 2018-të, të markës “Lenovo”, dhe që kushtojnë 1 mijë dollarë secili.

Për këtë punë, Zyra e Kryeministrit tashmë ka shpallur tender ku ka treguar në detaje se çfarë marke dhe çfarë përformancash duhet të kenë këto pajisje teknologjike. Prej 11 copë (laptop) sa ka porositur, të gjitha janë të markës së njohur “Lenovo”, por 9 prej tyre janë prodhim i avancuar i vitit 2018-të.

Sipas dosjes së tenderit, Zyra e Kryeministrit saktësisht ka kërkuar 9 laptop të markës “Lenovo Yoga”, 730 (13”) 2-in-1.

Buletini Ekonomik ka hulumtuar në ueb faqen e kësaj kompanie dhe ka gjetur se bëhet fjalë për pajisje mjaft të avancuara, përkatësisht prodhim i vitit 2018-të, ku një pajisje e tillë kushton 1 mijë dollarë.

Të së njëjtës markë, Zyra e Kryeministrit ka porositur edhe dy laptop tjerë. “Notebook Lenovo” me përformanca 330 Intel Core i7 8550U 15,6. Cmimi i një pajisje të tillë shkon deri në 600 dollarë.

Në total, nga ky tender për furnizim me laptopa, do të shpenzohen mbi 10 mijë dollarë.

Ndryshe kjo nuk është hera e parë që Zyra e Kryeministrit lëshohet në këso shpenzime të luksit. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, brenda 6 muajve të qeverisjes ka blerë dy herë telefona të mençur për zyrën e tij, duke shpenzuar mijëra euro. Blerjen e parë, në vlerë prej 8 mijë eurosh, zyra e shefit të qeverisë e ka bërë fiks një javë pasi ka filluar punën. /Buletini Ekonomik/