Kurti: Korrupsioni nuk luftohet me rritje të pagave për prokurorët

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se “Java kundër Korrupsionit” është hapur me më së shumti korrupsion se asnjëherë më parë.

“Ndodhemi në javën kundër korrupsionit të një viti me përplot korrupsion si asnjë tjetër. Dhe, në vend se të kemi gjykata normale që akuzojnë, gjykojnë e dënojnë kriminelët e paqes, na shfaqet gjykata speciale që do të merret me ‘krimet’ e luftës. Sipas Raportit “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës” publikuar nga PAX, Holandë: “Keqinformimi rreth Gjykatës Speciale të Kosovës është i përhapur, meqë (për shembull) 35.4% të shqiptarëve dhe 18.9% të serbëve, që e konsiderojnë veten të mirinformuar rreth Gjykatës, gabimisht besojnë se ajo do t’i ndjekë penalisht krimet që lidhen me korrupsionin dhe kapjen e shtetit”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.

Ai po ashtu ka komentuar edhe vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave për prokurorët.

Reklama e sponzorizuar

“Nuk do të rritet luftimi i krimit pse u rriten pagat prokurorëve. Duhet të rritet numri i prokurorëve të specializuar për krimin e organizuar e korrupsionin e lartë dhe përgatitja tyre, të rishikohet legjislacioni dhe të ristrukturohet prokuroria me prurje të reja edhe jashtë trajektores së parashikueshme që mbizotëron tani, si dhe të riorganizohet provimi i jurisprudencës për luftimin e kapjes së shtetit dhe krimit financiar. E kjo nënkupton fillimisht një a dy prokurorë që nuk i frikësohen kryeministrit e presidentit, zullumqarëve e mujsharëve të tjerë, por përkundrazi – ndjellin frikë tek ata”, ka shkruar Kurti.