Vendimet e Haradinajt rrisin faturën e pagave për 29 milionë euro

Fatura e pagave për nëntëmujorin e këtij viti është më e trashë për 29 milionë euro. Sipas raportit të shpenzimeve të Ministrisë së Financave, kjo vjen pas vendimit të kryeministrit Haradinaj për rritjen e pagave zyrtarëve të lartë shtetëror.

Vendimi i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj për rritjen e pagave kabinetit qeveitar por edhe disa kategorive tjera, e ka trashur faturën e pagave për 29 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas raportit të shpenzimeve për nëntëmujorin e këtij viti, shpenzimet për paga dhe mëditje shënuan vlerën prej 439 milionë euro, ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, fatura e pagave është trashur për 29 milionë euro.

Reklama e sponzorizuar

“Fatura e pagave gjatë periudhës raportuese paraqet një rritje prej 7% apo mbi 29 milionë euro më shumë krahasuar me faturën e pagave në periudhën e njëjte të vitit 2017”, thuhet në raportin e nëntëmujorit.

Sipas këtij raporti, kjo rritje kryesisht i atribuohet rritjes e pagave me 4% për të gjithë shërbyesit publik në përputhje me rregullën fiskale të pagave sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësite.

“Po ashtu edhe zbatimit të vendimit te Qeverise për ngritjen e pagave të disa sektorëve Qeveritar, duke filluar nga muaji Qershor, por me efekt retroaktiv sipas vendimit qeveritar”, thuhet në raportin e nëntëmujoit.

Qeveria e Kosovës më 20 dhjetor pati marrë vendim për rritjen e pagave për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat, dhe pjesës tjetër të kabinetit qeveritar.

Kështu paga e Kryeministrit ka qenë 1,443.20 euro, ndërsa me vendimin e marrë kjo pagë është rritur në 2,950 euro, rritje kjo për 100 për qind.

Rritja e pagës së Kryeministrit Ramush Haradinaj nuk është rritja e vetme. Rritje të lartë në pagë kanë përfituar dhe vartësit e tij.

Nga 2,500 euro do të paguhen zëvendëskryeministrat, ndërsa më herët janë paguar nga 1,356.30 euro, një rritje kjo për 90 për qind.

Nuk qëndrojnë keq dhe ministrat. Ata tash paguhen 2,000 euro për muaj, nga 1,270.50 euro që ishin paguar më herët, me një rritje prej më shumë se 70 për qind.

Nga vendimi për rritjen e pagave kanë përfituar edhe këshilltarët në Qeveri. Këshilltari i Lartë i Kryeministrit dhe i ministrit deri më tani janë paguar nga 693 euro, por nga tani ata do të paguhen 1,340 euro, përkatësisht 1,050 euro, me gati 100 për qind rritje. Ndërsa, këshilltari politikë i ministrit tash do të paguhet 800 euro bruto, nga 577.50 euro bruto që ishte paguar më herët, apo gati 80 për qind më shumë.

Po ashtu, asistentët dhe shoferët do të gëzojnë pagë të lartë. Asistenti i Lartë i Kryeministrit tash do ta ketë pagën prej 970 euro. Asistenti i Lartë i Ministrit do ta ketë pagën prej 600 euro nga 407.55 euro, apo 80 për qind më shumë, ndërsa shoferi i tij do të paguhet 580 euro nga 348.56 euro që ishte paguar më herët, me një shtim page mbi 80 për qind. /Buletini Ekonomik/