BANKAT I DEKURAJOJNË QYTETARËT PËR KURSIME

Dje është shënuar Dita Ndërkombëtare e Kursimit, me ç’rast kjo ditë u shënua edhe në Kosovë.

Me gjithë faktin që depozitat e qytetarëve në bankat komerciale kanë arritur mbi 3 miliardë euro, në Kosovë sipas raporteve të Bankës Qendrore të Kosovës, qytetarët janë të dekurajuar për të kursyer, shkruan Buletini Ekonomik.

Pothuajse të gjitha depozitat në sektorin bankar janë të transferueshme, pra nuk aplikohet interes, ku do të përfitonte edhe qytetari nga interesi.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq, dy llojet e kursimeve të ekonomive familjare, në formë të depozitave të kursimeve dhe të afatizuara, prej nga përfiton edhe qytetari nga interesi, kanë vazhduar rënien, në favor të rritjes së vazhdueshme të depozitave të transferueshme.

Sipas raportit të stabilitetit financiar të BQK-së, kjo ka ndodhur me rënien e normave të interesit në depozita, duke dekurajuar kështu qytetarët për të kursyer.

Me rënien e normave të interesit në depozita në vitin 2014, me ç’rast norma e interesit në depozita të kursimit u përgjysmua ndërsa
ajo në depozita të afatizuara u zvogëlua për 70 përqind (figura 40), kursimet e ekonomive familjare filluan rënien, duke lëvizur në llogari të transferueshme. Kjo për faktin se normat e ulëta të interesit rritën koston oportune të mbajtjes së kursimeve dhe afatizimit të mjeteve, ndaj dhe dekurajuan kursimin” thuhet në raport.

Sa i përket vitit 2017, depozitat e kursimit shënuan rënie vjetore prej 8.9 përqind, ndërsa norma e interesit zbriti në 0.26 nga 0.28 përqind.

Ndërsa depozitat e afatizuara
shënuan rritje pas katër viteve rënie, përkundër ndryshimit të vogël të normës së interesit në 0.93nga 0.91 përqind. /Buletini Ekonomik/